Telegrafi

Bush ngatërron fjalën Ukrainë me Irak – pastaj thotë diçka me të cilën qeshën të gjithë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W Bush, ka dënuar “pushtimin tërësisht të pajustifikuar dhe brutal të Irakut” në një gafë gjatë një fjalimi në shtetin amerikan të Teksasit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ish-presidenti, i cili nisi pushtimin e Irakut në vitin 2003 me pretendimin se vendi po zhvillonte armë të shkatërrimit në masë, kishte për qëllim të dënonte pushtimin rus të Ukrainës gjatë fjalimit në Dallas të mërkurën.

Në vend të kësaj, duke kritikuar sistemin politik të Rusisë, ai tha: “Rezultati është mungesa e kontrolleve dhe ekuilibrave në Rusi dhe vendimi i një njeriu për të nisur një pushtim tërësisht të pajustifikuar dhe brutal të Irakut”.

“Dua të them, të Ukrainës”, përmirësoi veten shpejt ai.

Ai më pas tha “75”, duke menduar në moshën e tij, gjë që nxiti të qeshura nga turma. /Telegrafi/