Telegrafi

Bursa botërore në nivele rekord, pavarësisht krizës fitoi triliona dollarë

Tregjet botërore të aksioneve kanë pasur luhatje të shumta gjatë viti 2019, por megjithatë sipas llogaritjeve nga raportet e Deutsche Bank, ato u rritën me më shumë se 17 trilionë dollarë në vlerë totale.

Vlera e kapitalit botëror e filloi vitin me vetëm 70 trilion dollarë por tashmë që 2019 po përfundon ajo ka tejkaluar 85 trilionë dollarët.

Sipas ekspertëve kjo është ndikuar nga lehtësimi botëror i politikave monetare dhe zhvillimet politike në mbarë botën, përcjell Telegrafi.

Bankat qendrore në të gjithë botën kanë marrë një qasje lehtësuese, duke nxitur tregjet me uljen e normave të interesit. Rezerva Federale ka ulur normën e tij të interesit tre herë këtë vit dhe Banka Qendrore Evropiane uli normat e saj tashmë negative edhe më tej. Perspektiva e tregtisë botërore gjithashtu u bë më e qartë këtë vit, pas ujdisë rreth fazës së parë të marrëveshjes SHBA-Kinë dhe afatit për BREXIT, i cili pritet të realizohet brenda janarit.

Në frontet tregtare të Shteteve të Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve kaloi marrëveshjen e re tregtare të administratës së Donald Trumpit dhe vendi arriti një marrëveshje të dukshme me Kinën për fazën e parë të negociatave tregtare. Nga ana tjetër, në Evropë, fitorja e jashtëzakonshme për konservatorët e Boris Johnson pritet t’i japë atij fuqinë për të realizuar daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, rritja e madhe për tregjet botërore është mbizotëruar kryesisht nga tregjet amerikane.

S&P 500, Dow Jones Industrial Average dhe Russell 2000 të gjithë u rritën më shumë se 20 për qind këtë vit. Nga ana tjetër rritje masive në bursë patën edhe gjigantët teknologjikë amerikanë, siç ishte fitimi prej 80 për qind i Apple dhe ai 57 për qind i Facebook. /Telegrafi/