Një burrë me prejardhje turke me bazë në Edinburg, Skoci, thotë se ka humbur më shumë se 120 anëtarë të familjes së tij në tërmetin shkatërrues të së hënës.
Sahin Firat është presidenti i Dhomës së Tregtisë Turko-Skoceze dhe po bashkërendon në kryeqytetin skocez, donacionet për apelin ndaj tërmetit.
“Kam humbur vetëm nga familja ime më shumë se 120 njerëz – kushërinjtë, hallat, xhaxhallarët, nipërit… dhe gjithashtu të tjerë nga fshati im, fqinjët”, tha ai për programin Good Morning Scotland të BBC Radio.
“Ata ishin në Adiyaman, në qendër të qytetit. E gjithë Turqia është në gjendje të keqe. Unë mora disa lajme nga vëllai im dhe të tjerë në qytetin tim. Ne po shohim vetëm 20 për qind të asaj që po ndodh në të vërtet”.
“Të gjithë rrinë në makina ose në rrugë, kur gjejnë benzinë, rrinë në makinë për t’u ngrohur, herë të tjera, nëse nuk bie shi, përpiqen të gjejnë dru ose letër për të ndezur zjarr.
“Çdo ditë është më keq e më keq. Është një situatë emergjente, si lufta. Deri më sot kemi mbledhur rroba, ushqime, gjëra për të pastruar. Por tani kanë nevojë për para për t’i mbajtur se nuk kanë më shtëpi”. /Telegrafi/