Princesha e Uellsit, Kate Middleton, në moshën 42 vjeçare, foli nëpërmjet një video-mesazhi ku iu drejtua publikut se po trajtohej nga kanceri pas një operacioni abdominal në janar. Princesha Kate u shfaq vetëm, duke çuar në pyetje shumë prej njerëzve se pse bashkëshorti i saj, Princi William, 41 vjeçar, nuk e shoqëroi atë në këtë video.
“Është një mesazh nga princesha rreth shëndetit të saj, dhe ajo dëshironte ta dorëzonte personalisht mesazhin vetë”, tha një burim i pallatit për Revistën People. Burimi thekson se Princesha Kate e bëri të qartë që bashkëshorti i saj e ka “mbështetur përgjatë gjithë kohës”.
“William është shumë krenar për gruan e tij për guximin dhe fortesën që ajo ka treguar jo vetëm këtë javë por që nga operacioni i saj në janar”, thotë burimi. “Tashmë më shumë se kurrë, ai është i përqendruar në sigurimin që gruaja e tij ka privatësinë që i nevojitet për t’u shëruar plotësisht dhe që fëmijët e tij janë të mbrojtur nga interesi i kuptueshëm në lajmet që janë ndarë me publikun e gjerë”, tha më tej burimi.
Ndërkohë që princesha i referohet Princit William dhe fëmijëve të tyre – Princ George, Princesha Charlotte dhe Princ Louis – shumë herë në fjalimin e shkruar vetë, ajo ndjeu se ishte më se e nevojshme që ajo t’i drejtohej e vetme audiencës në video – dhe koha ishte e duhur.
“Ajo dhe princi kishin nevojë për kohë për ta pranuar lajmin e hidhur, ajo kishte nevojë për kohë për t’u shëruar nga operacioni dhe kishte nevojë për kohë për t’i treguar fëmijëve. Ai [Princi William] ishte forcë shtytëse”, thotë një burim i pallatit. Princi George, 10 vjeç, Princesha Charlotte, tetë vjeçe dhe Princi Louis, pesë vjeç, ishin tashmë jashtë shkollës për pushimet e Pashkëve kur pallati publikoi videon e regjistruar të Kate-t që zbuloi diagnostikimin, një vendim i marrë për të krijuar hapësirë për kohën private të familjes në javët e ardhshme.
“William dhe unë kemi bërë gjithçka që në fuqinë tonë për ta përpunuar dhe menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re”, tha Princesha Kate në mesazhin dy minutësh. “Siç mund ta imagjinoni, kjo ka marrë kohë”, vazhdoi ajo. “Më ka marrë kohë që të shërohem nga operacioni i madh për të filluar trajtimin tim. Por, më e rëndësishmja, na ka marrë kohë të shpjegojmë gjithçka për George, Charlotte dhe Louis në një mënyrë që është e përshtatshme për ta, dhe për t’i siguruar ata që unë do të jem në rregull. Siç u kam thënë atyre; unë jam mirë dhe po forcohem çdo ditë duke u përqendruar në gjërat që më ndihmojnë të shërohem; në mendjen, trupin dhe shpirtin tim”.
“Shpresojmë që do të kuptoni se, si një familje, tani na duhet kohë, hapësirë dhe privatësi ndërkohë që unë kompletoj trajtimin tim”, shtoi ajo drejt fundit të videos. Ndërsa Princesha Kate bëri njoftimin publik për shëndetin e saj vetëm dhe me fjalët e saj, bashkëshorti dhe fëmijët e saj do të vazhdojnë të mbështesin rreth saj. Këtë fundjavë, familja do të heqë dorë nga tradita duke mos marrë pjesë në shërbimin tradicional të Pashkëve të familjes mbretërore në Kishën e Shën Gjergjit dhe në vend të kësaj do të kalojnë fundjavën privatisht në shtëpi.
Princi William nuk planifikon të kthehet në punën mbretërore derisa George, Charlotte dhe Louis të kthehen në shkollë në Lambrook në fund të prillit, pas zgjedhjes së prindërve për të mbajtur detyrat në një minimum për të kaluar kohë me fëmijët gjatë pushimeve shkollore.
“Fëmijët janë qendra e botës së tyre”, thotë një mik i ngushtë i çiftit për Revistën People, këtë javë. /Telegrafi/