Site icon Telegrafi

Burgim të përjetshëm për Pjetër Nrecaj i cili vrau bashkëshorten dhe vajzën

Gjykata e Apelit ka marrë vendim për dënim me burgim të përjetshëm për Pjetër Nrecaj, i cili është akuzuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Kështu ka njoftuar Gjykata e Apelit përmes një njoftimi për media.

“Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesave, e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë të datës 19.11.2018. Veprimet e të akuzuarit Pjetër Nrecaj janë ri-cilësuar si Vrasje e rëndë nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës’, dhe ndaj tij është shqiptuar dënimin më BURGIM TË PËRJETSHËM. Gjykata e Apelit vlerëson se Gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Pjetër Nrecaj dënohet me 24 vite burgim për vrasjen e gruas dhe vajzës

Pranimi i fajësisë, thuhet më tutje në aktgjykim, dhe shqiptimi i dënimit unik prej 24 viteve burgim, nuk është adekuat me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit. “Kjo për faktin se janë shkaktuar pasoja tepër të rënda me rastin e privimit nga jeta të bashkëshortes së tij Valbona Nrecaj dhe vajzës së tij K.N., e që ka mundur të shkaktohen pasoja edhe më të rënda”, thuhet në njoftimin për media.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se duke qenë se janë shkaktuar pasoja tejet të rënda si objekt mbrojtës i veprës penale vrasje e rëndë, e që është jeta e njeriut si vlera më e madhe e mbrojtjes penalo juridike,  dhe vepra penale është kryer në rrethana posaçërisht renduese, në këtë mënyrë janë plotësuar dy kushte ligjore nga neni 44 i KPRK-së, për shqiptimin e dënimit me burgim te përjetshëm.

Lexo po ashtu Pjetër Nrecaj pranoi fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës (Video)

“Përveç kësaj  i akuzuari në mënyrë permanente,  ka pasur sjellje të këqija ndaj bashkëshortes se vet, dhe duke ushtruar dhunë. Po ashtu vepra penale është kryer në prezencë të fëmijëve dhe  vëllezërve të viktimës, e ku pasojat kanë mundur të jenë edhe më të rënda”, thuhet më tej në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version