Deputeti i Lidhjes Demokratike dhe eksperti, Shpejtim Bulliqi, në emër të grupit të ekspertëve të pavarur, ka reaguar rreth konferencës së Komisionit shtetëror të mbajtur sot, ndërsa vijën kufitare me Malin e Zi e ka quajtur mashtrim që po i bëhet Kosovës.
“Me vëmendje përcollëm konferencën për media të Komisionit shtetëror dhe me keqardhje ju informojmë që ky është një mashtrim që po i bëhet Kosovës për vijën kufitare me Malin e Zi”, ka thënë Bulliqi.
Ai ka shtuar se gjatë debatit të 3 Gushtit 2016, nuk patën përgjigje në lidhje me kadastrën e Malit të Zi përgjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën.
“Edhe sot asnjë parcelë kadastrale nuk u prezantua përgjatë gjithë vijës kufitare”, shtoi ai. “Ju sigurojmë që Mali i Zi, nuk ka dëshmi kadastrale përgjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën dhe se nuk është e kuptueshme përcaktimi i një vije kufitare të ndryshme nga ajo e kushtetutës se vitit 1974. Në momentin e duhur, grupi i ekspertëve të pavarur, do të thërrasë konference për media dhe do të dëshmojë që ky demarkacion është totalisht jo i rregullt, i pa argumentuar dhe i dëmshëm për Kosovën”.