Telegrafi

​Bulliqi prezantoi kabinetin qeverisës të Komunës së Podujevës

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ku ka prezantuar përbërjen e kabinetit qeverisës. Bulliqi ka thënë se në kabinetin qeverisës ka përzgjedhur kuadro të reja dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Me këtë rast kryetari Bulliqi u zotua se bashkë me ekipin qeverisës do të angazhohen shumë dhe me ndërgjegje të pastër, që të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Unë si Kryetar Komune dhe kabineti im do t’i kryejmë detyrat dhe përgjegjësitë me dije, me nder dhe me përgjegjësi të lartë morale e profesionale. Do të jemi qeverisje që shërben dhe punon pa ndalur e kokë ulur për nevojat dhe interesat e qytetarëve. Pikë synimi ynë është të kthejmë besimin e qytetarëve në Institucionin e Komunës”, tha kryetari Bulliqi gjate konferencës për media.

“Do të jemi të hapur, bashkëpunues e gjithëpërfshirës, do të instalojmë meritokracinë në secilin dikaster, do të jemi transparent për çdo vendim a veprim, do të jemi bashkëpunues me mediat e shoqërinë civile, do të qeverisim me dije e guxim e pa arrogancë, do të bashkëpunojmë me partitë opozitare e do të kërkojmë ndihmën e secilit për të mirën e përgjithshme, do të jemi afër atyre që kanë më së shumti nevojë, do të qeverisim pa e diskriminuar askënd e do të punojmë për të mirën e përgjithshme”, citohet te ketë thënë ai.

Nw komunikatën për media nga komuna e Podujevës thuhet edhe se kryetari Bulliqi tha se në kabinetin qeverisës ka kuadro të reja e shumë profesionale, që e kanë dëshmuar vetën para çdo sfide.

“Ashtu siç jam zotuar në fushatën zgjedhore se gratë dhe të rinjtë do ta kenë hapësirën e nevojshme për ta dëshmuar vetën në ekzekutiv, ashtu edhe kam vepruar”, tha kryetari Bulliqi.

Përbërja e ekzekutivit të Komunës:

Nënkryetare e Komunës – Marigona Lahu, master e Ekonomisë, drejtimi Banka, Financa dhe Kontabilitet. Vazhdon studimet për doktoraturë në Maqedoninë Veriore – drejtimi shkenca organizative-menaxhment.

Drejtor i Drejtorisë së Administratës – Bahri Selimi, jurist dhe i certifikuar për mbrojtje dhe shpëtim në Ostravë të Çekisë, Oficer në trupat mbrojtëse nga viti 2000-2009, si dhe këshilltar i kuvendit komunal 2013-2017.

Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa – Fatlum Osmani, master i Ekonomisë, ka përvojë të gjatë si kontabilist si dhe ka punuar nga viti 2015 deri tash në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Drejtor i Drejtorisë së Arsimit – Avni Fetahu, mësimdhënës, master i Ekonomisë, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë. Ka qenë drejtor i drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, si dhe drejtor i drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës, po ashtu këshilltar i kuvendit komunal.

Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – Egzona Mustafa, doktoreshë e Stomatologjisë, si dhe specializante e Ortodoncisë në QKSUK në Prishtinë.

Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Mbrojtje dhe Shpëtim – Fevzi Jetullahu, master i Inxhinierisë së Ndërtimit dega Hidroteknikë. Ka punuar në Drejtorinë e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, si dhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik – Pajtim Balaj, ka mbaruar studimet e shkencës politike dhe administrates, si dhe ka përfunduar edhe studimet në filozofi. Për 5 vjet ka punuar në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë. Aktualisht ishte këshilltar në Kuvendin e Komunës në Podujevë.

Drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Elhame Kutllovci, master e Fakultetit të Arteve, drejtimi Teatri Eksperimental. Me profesion është regjisore.

Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit – Ajet Potera, ekonomist dhe master i shkencave në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Ka vijuar studimet në fushën e sigurisë edhe në Koln e Hamburg të Gjermanisë, si dhe në akademinë për siguri evropiane në Bruksel të Belgjikës. Ka përvojë të gjatë menaxheriale.

Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje e Mjedisit – Bujar Hasani, master i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar për kohë të gjatë në shumë projekte të rëndësishme e së fundi në projektin Euro Tex.

Drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Vigan Salihu, ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Bujqësisë, drejtimi ekonomi bujqësore. Është në prag të diplomimit si master në drejtimin Agroekonomi.