Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi shpreson se me qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti edhe korrigjimi i demarkacionit me Malin e Zi do të ecë para.
Bulliqi, në “Dossier D“ në RTV Dukagjini thotë se shpreson që qeveria LVV-LDK të qeverisë së paku dy mandatë për të bërë punë të mira.
Deputeti që vjen nga Podujeva thotë se emërimi i Agim Veliut në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk është lajm i mirë për banorët e Llapit.
“Lënia në gjysmë e mandatit nuk është lajm i mirë për banorët e Llapit…Ky është një anashkalim i kërkesave të qytetarëve llapjan, por sidoqoftë ai është një vendim individual”.
Bulliqi thotë se nuk do të jetë mandat i lehtë për secilin që do të merr besimin e qytetarëve të Podujevës pasi është gjysmë mandati.
Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka kuadro të mjaftueshme nga Podujeva që do të dalin mirë në këtë zgjedhje.
“Strukturat e partisë do të vendosin për kandidatin. Nuk do të ketë vendime individuale në këtë drejtim se kush do të kandidoj për kryetar”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ishte kryesues i Komisionit për rishikimin e Demarkacionit me Malin e Zi në Qeverinë Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti do të kërkojë që edhe pala malazeze të formojë ekipin e saj për të rishikuar përcaktimin e demarkacionit.
Bulliqi thotë se që nga momenti i zgjedhjes së tij deputet ka pezulluar pozitën e tij si Kryesues i Komisionit për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm interesi.
“Në çfarëdo pozite që do të jem do të ndihmojë në këtë proces”, deklaroi ndër të tjera Shpejtim Bulliqi./Telegrafi/