Për demarkacionin me Malin e Zi në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës edhe njëherë ka folur eksperti i fushës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi.
Bulliqi ka thënë se mendon që një prej arsyeve pse është vendosur që Demarkacioni të shkojë në Kuvend më 1 shtator, është se pozita nuk i ka numrat.
“Neve na është thënë që kjo çështje nuk do të shkojë shumë gjatë. Ky vendim i Kryesisë sot, unë nuk i di aryset po ma merr mendja që faktikisht Qeveria nuk është e sigurt që ka mundësi ta kalojë Demarkacionin. Deputetët janë vendosur që votën e tyre ta japin kundër”.
Lidhur me mbledhjen e LDK-së që po mbahet ende, Bulliqi ka deklaruar se votën për Demarkacion e japin vetëm deputetët.
“Është mirë që mblidhen forumet partiake por kryetarët e degëve nuk do të votojnë për Demarkacion, por do të votojnë deputetët”.
Ai edhe njëehrë ka potencuar se Kosova me këtë marrëveshje siç është, është duke humbur territor.
“Të gjitha hulumtimet tregojnë që do të kemi ndryshim të vijës kufitare. Unë jam i sigurt që po t’i kishin votat Qeveria kjo çështje do të kalohej”, tha ai.
Bulliqi ka potencuar se ka shumë deputetë, ndër ta edhe të PDK-së, të cilët nuk pajtohen me këtë formë të marrëveshjes për Demarkacionin.
“Ka një numër të madh të deputetëve të PDK-së, që mendojnë që Komisioni e ka bërë punën keq. Kam raporte të mira me deputetët dhe ne kemi diskutuar për punën e Demarkacionit. Kam qenë njëri nga ata më të zëshmit që e ka kundërshtuar punën e Komisionit”, tha ai.
Bulliqi që prej fillimit e kundërshton zëshëm këtë formë të Demarkacionit ka thënë se nuk i përkrah format e opozitës për ta kundërshtuar vijën kufitare me Malin e Zi.
“Hedhja e gazit lotsjellës nuk i kontribuon zhvillimit pozitiv të këtij procesi por ndikon negativisht në të gjitha zhvillimet politike. Nuk besoj që me gaz lotsjellës mbrohet Demarkacioni, por ai mbrohet me fakte të fuqishme për të mos lejuar ratifikimin e tij”, tha Bulliqi.