Telegrafi

Bulliqi: Faktografia tregon se kufiri me Malin e Zi ka lëvizur në dëm të Kosovës, Qeveria do t’i hapë rrugë korrigjimit të tij (Video)

Shpejtim Bulliqi

Komisioni Shtetëror për Mirëmbajtjen e Kufirit thotë se vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka lëvizur në dëm të vendit tonë, në bazë të një raportit 900 faqesh që ata kanë gjetur nga puna në teren. Sipas Kryetarit të këtij Komisioni, Shpejtim Bulliqit, tashmë korrigjimi është në dorën e qeverisë.

Komisioni Shtetëror i emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj e i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, thotë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, ka bërë që të lëviz vija kufizuese në dëm të Kosovës.

Kjo e gjetur është paraqitur edhe në raportin 900 faqesh, që ka bërë ky komision dhe i ka dorëzuar Qeverisë.

“Ne kemi hartuar një raport pune me një volum prej rreth 900 faqesh materiale. Në këtë raport janë përfshirë një sërë të gjeturash faktografike që tregojnë se vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka lëvizur në dëm të territorit të Kosovës. Materialet faktografike tregojnë se vija kufitare nuk ka qenë si është në marrëveshjen e aprovuar në Kuvendin e Kosovës”, tha për RTV Dukagjinin, Shpejtim Bulliqi.

Bulliqi thotë se puna në vazhdim, tashmë është në dorën e qeverisë, që të  formojë Trupën Punuese në mënyrë që të korrigjojnë pjesët në të cilat ka pasur lëshime.

“Qeveria ka në agjendën e vet, dhe konform kësaj agjende në një moment të caktuar Qeveria do ta formojë këtë Trup Punuese dhe të hapet rruga për korrigjimin e këtyre segmenteve”, tha më tej Shpejtim Bulliqi.

Me të ardhur në krye të Qeverisë, Kryeministri Ramush Haradinaj kishte shpërbërë Komisionin e kaluar shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi që drejtohej nga Murat  Meha, duke emëruar staf të ri më në krye Shpejtim Bulliqin./Telegrafi/