Telegrafi

Bulku: Është përgjegjësi e madhe, do të bëjmë më të mirën ndaj Andorrës

(Foto: Facebook/Federata Shqiptare E Futbollit)

Ervin Bulku është njeriu që mori mbi super përgjegjësinë për të nxjerrë Kombëtaren Shqiptare nga momenti i vështirë që po kalon, pas humbjes nga Turqia dhe shkarkimit të trajnerit Christian Panucci.

Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Andorrës, ai ka theksuar rëndësinë e sfidës së të hënës dhe kërkoi nga skuadra që të japë maksimumin për të dalë me tri pikë nga ky udhëtim.

“Unë jam pranë skuadrës dhe e njoh mirë grupin, ndaj edhe më takonte të marr një përgjegjësi të tillë, ndonëse jam një trajner i ri. Sfida me Andorrën është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të fitojmë nesër, që të mund të mendojmë për objektivin tonë. Eliminatoret sapo kanë filluar dhe kemi humbur vetëm ndeshjen e parë, ndaj të përqendrohemi te sfida e nesërme”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja e Shqipërisë

“Është përgjegjësi e madhe që më është ngarkuar, ndërsa detyra ime është që bashkë me çunat, të bëjmë më të mirën për të fituar ndeshjen ndaj Andorrës”.

“Ndryshimi i vetëm është që këtë takim do ta fitojmë patjetër. Jemi të bindur që do t’ia dalim”, citon Top Channel fjalët e Bulkut.

“Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë humbje ndaj Turqisë. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe do të luajmë të bindur në suksesin nesër”, ka shtuar ai.