Miss USA është një prej spektakleve më të njohura në Amerikë. Si pjesë e organizatës Miss Universe, ky spektakël organizohet nën menaxhimin e Donald Trumpit, biznesmen i njohur dhe kandidat për President të ShBA-ve.
Sivjet ky spektakël ka zgjuar edhe më shumë polemika për shkak të komenteve të rënda të Trumpit për meksikanët, duke thënë se ata sjellin krimin dhe drogën në Amerikë. Akuzat ndaj Trumpit dhe bojkotimin e medieve të njohura si NBC dhe Univision e ka komentuar edhe Paula Shugart, presidente e Miss Universe Organization, duke thënë se ky organizim është për femra dhe është mundësi e artë për to.
Shumë personalitete të njohura nga juria, performues e udhëheqës të spektaklit janë larguar nga ky organizim, ndërsa këtë nuk e ka bërë asnjë prej pjesëmarrësve në garën për Miss USA.
Një nga kandidatet për më të bukurën e ShBA-ve është edhe një shqiptare. Polikseni Manxhari përfaqëson Massachusetts. Ajo ka emigruar në Amerikë nga Shqipëria me familje në kohën kur ishte 5 vjeçare. Ajo është shumë e lumtur për pjesëmarrjen e saj në këtë spektakël.
“Kemi shumë gra të bukura që inspirojnë njerëzit jo vetëm këtu por në gjithë botën dhe dërgojnë mesazhe që me të vërtetë nuk ja vlen nga vini apo kush jeni, ju mund të bëni gjithçka nga vetja. Njerëzit nuk do ta harrojnë kurrë këtë Miss USA”, ka thënë Manxhari për ABC News, transmeton koha.net.
Spektakli i sivjetmë i Miss USA do të mbahet më 12 korrik në Luizianë. /Koha/Telegrafi/