Aktori, prezantuesi, publicisti dhe prodhuesi i dokumentarëve nga Britania Madhe Peter Duncan do të qëndrojë për vizitë disa ditore në qytetin e Pejës, ku gjatë këtij qëndrimi do të eksploroj Bjeshkët e Nemuna e cila parashihet në kuadër të bashkëpunimit të kompanisë së tij me Komunën e Pejës dhe projektin PPSE të Sëisscontac me qëllim të promovimit të paketave turistike nga regjioni malor i bjeshkëve të Nemuna për tregun Britanik.
Duncan është një personalitetet i nivelit botëror i cili njihet për realizimin dhe udhëheqjen e emisioneve në televizioni botëror “BBC” ku temat kanë qenë të bazuara në aventurat natyrore dhe rekreacionet në natyrë në mbarë botën duke filluar nga Himalajet, në safarit e Afrikës e deri tek pyjet e lagështa të Perus, duke i promovuar dhe krijuar mundësi që tregu Britanik por edhe botëror të njoftohet më tepër me ofertat avanturore të këtyre destinacioneve të reja turistike.
Artan Gashi drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Pejë ka thënë për Telegrafin se janë bërë të gjitha përgatitjet për pritjet sa më të mirë për aktorin dhe prezantuesin Peter Duncan.
Duke e parë regjionin malor të Bjeshkëve të Nemuna si destinacion i pazbuluar dhe si potencial i ri në tregun botëror në kuadër të paketave turistike të kompanisë së tij “Natural Adventure Company” Duncan ka filluar të ofroj shërbime turistike nga Kosova për tregun Britanik.
Gjatë qëndrimit të tij do të realizoj udhëtime të ndryshme përgjatë Bjeshkëve të Nemuna për të përjetuar nga afër dhe po ashtu do të realizoj disa artikuj të cilat do të botohen ne gazetat prestigjioze dhe më të shitura të Britanisë.
Njëkohësisht Duncan do të realizoj edhe takime me zyrtarë të Komunës nga drejtorati për zhvillim ekonomik me qëllim të krijimit të lidhjeve edhe më të afërta për bashkëpunimin e mëtutjeshëm si dhe përkrahjen e investimeve vendore dhe të huaj për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të komunës së Pejës.
Ndryshe këtë iniciativë të tillë vitin e kaluar e kishin paralajmëruar edhe zyrtarët e Komunës së Pejës. “Jam i lumtur për lansimin e produktit. Komuna e Pejës është e lumtur dhe mirëpret zhvillimet e këtilla. Ne e kemi takuar ekipin, kemi dhënë ndihmë fillestare dhe gjithsesi se do t’i përkrahim në të ardhmen”, pati thënë drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik të Pejës, Artan Gashi. /Telegrafi/