Site icon Telegrafi

Buka dhe qumështi më lirë në Shkup sesa në Tiranë dhe Prishtinë

Shpenzimet për ushqime zënë peshën më të madhe në buxhetin e familjeve. Ushqime bazë të shportës, si qumështi, buka, vezët, djathi, orizi apo dhe perimet marrin një pjesë të madhe të ardhurave të familjeve. Duke krahasuar të dhënat për rajonit, të cilat janë të mbledhura nga portali Numbeo, që ka një databazë të kostove të jetesës, çmimet e pasurive të paluajtshme, përkujdesin shëndetësor, ndotjen, trafikun dhe cilësinë e jetës për të gjitha shtetet në botë, shikojmë se Shqipëria ka çmimet më të larta për produktin e bukës dhe të qumështit. 500 gramë bukë e bardhë kushton në Shqipëri 0.54 cent, referuar të dhënave të Numbeo.com. Ndërsa në Prishtinë, të njëjtën masë buke mund ta blesh për vetëm 0.29 cent. Në Beograd, 500 gramë bukë e bardhë kushton 0.40 cent, ndërsa në Shkup 0.48 cent.

QUMËSHTI
Produkti tjetër më i shtrenjtë është qumështi. Për një litër qumësht shqiptarët paguajnë mesatarisht 0.92 cent, më shtrenjtë se i gjithë rajoni. Të njëjtën sasi, shqiptarët e Kosovës e blejnë në Prishtinë mbi 10 lekë më lirë, ndërsa në Shkup – edhe më lirë (0.81 denta). Sarajeva është kryeqyteti ballkanik me çmimin më të lirë të qumështit, ku një litër blihet për 0.69 cent. Produktet bazë në përgjithësi prodhohen nga industria vendase dhe duke qenë se një pjesë e mirë e industrisë vendase nuk është konkurruese dhe operon me kosto të larta, çmimet për disa produkte janë më të shtrenjta se rajoni.

VEZA DHE DJATHI
Për sa u përket vezëve, një duzinë me vezë, që është dhe standardi i paketimit kushton në Shqipëri mesatarisht 1.11 euro. Çmimin më të shtrenjtë të vezëve e ka Sarajeva, ku një pako standarde kushton 1.36 euro. Edhe djathi kushton më shtrenjtë në Sarajevë, ku një kilogram bën 5.77 euro. Më lirë djathi kushton në Prishtinë, ku një kilogram është 3.58 euro.

SHQIPËRIA, SHTETI QË SHPENZON MË SHUMË PËR BUKË DHE DRITHËRA NË EUROPË
Sipas tabelave të publikuara më herët nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Evropë. Shteti i dytë pas Shqipërisë është Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së si shpenzime për bukë dhe drithëra, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.3% dhe Maqedonia me 2.9%. Listën e vijon sërish një vend i Ballkanit Perëndimor, Serbia, me 2.7% (të dhënat për Kosovën mungojnë). Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Evropian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra.

Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3.3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.1% e 28 vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm shqiptarët shpenzojnë më shumë për të siguruar këtë nevojë bazë jetike, por kjo përqindje është më e lartë se 10 vjet më parë. Në 2007-n, viti më i hershëm kur i raporton të dhënat INSTAT, kjo përqindje ishte 4.4, ndërsa në 2016-n u shënua niveli maksimal prej 4.9% e PBB-së (të dhënat e Eurostat janë përditësuar në qershor 2017). Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 183 euro në vit, më të lartat në rajon. Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre.

Exit mobile version