Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja ka thënë se ende nuk e ka nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por pret që vendi të shkojë në zgjedhje në qershor.
Madje, ai thotë se ende askush nuk ka biseduar më të për këtë çështje.
“Askush nuk me ka kontaktuar. Pa e parë tekstin nuk e jap nënshkrimin. Mocioni nuk po me duket serioz”, ka thënë Buja.
Ai pret qe në qershor vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri, sipas tij, po bën lojëra për të ia zgjatur jetën vetit në pushtet.
“Unë besoj qe në qershor do të kemi zgjedhje. Po shihet nga prononcimet dhe nga fushatat dhe nga frustërimi i kryeministrit. Mustafa po bën lojëra më ia zgjatë jetën vetit në pushtet”, ka thënë Buja.
Tutje, ish kryetari i Lipjanit shprehet i bindur se marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi nuk do të kalojë.
Mocionin për rrëzimin e Qeverisë, e iniciuar nga Nisma nuk e ka nënshkruar as deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi. Por, ai ka shprehur gatishmëri qe ta nënshkruaj këtë mocion.
“Nëse ma ofrojnë e nënshkruaj. Nuk e di ndoshta po presin mbështetje nga PDK”, ka thënë shkurt Kelmendi./Indeksonline/