Ish-deputeti i PDK-së dhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka thënë se atij i është ofruar posti i zëvendësministrit për të mos u larguar nga PDK-ja.
Buja, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se largimi i tij nga PDK është bërë vetëm për çështje politike.
“Kadri Veseli më ka premtuar postin e zëvendësministrit që të qëndrojë në PDK, para se unë të largohem nga kjo parti. Kjo ka ndodhur në kohën e kandidimeve për deputetë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ish-deputeti i PDK-së thotë se ai kishte marrë vendim i pari për të mos kandiduar për deputetë pasi kjo ishte një kërkesë e ambasadës amerikane.
Sipas tij edhe pse kishte një dakordim që këtë ta bënin të gjithë në PDK që ishin në procese gjyqësore por kjo nuk ndodhi.
“Për mua goditja tjetër pos kandidimit ka ardhur kur Adem Grabovci është shkarkuar nga shefi i Grupit Parlamentar sepse ishte nën hetime për rastin “Pronto”. Unë kam kërkuar sqarim në Grupin Parlamentar për këtë veprim, e që mediat e opinioni publik nuk kanë ditur”, tha ndër të tjera Shukri Buja./Telegrafi/