Ish-zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shukri Buja, pas aderimit në Nisma për Kosovën, ka thënë se nuk i mbeti rrugë tjetër pos të largohet nga PDK-ja.
Buja në një intervistë për “Epokën e re” ka treguar se ish-partia e tij, PDK-ja, asnjëherë nuk i kishte marrë parasysh vërejtjet që ia kishte dërguar kryetarit dhe organeve të PDK-së.
Buja ka vlerësuar se nuk ka shkuar për poste te Nisma. Ai ka thënë se nuk do të jetë kandidat i Nismës për kryetar të Lipjanit në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, por do ta fuqizojë me votë këtë subjekt politik.
Buja në këtë intervistë ka folur edhe për vëllanë e vet, Ramë Bujën, i cili, sipas tij, shumë shpejt do ta bëjë publik qëndrimin nëse do të qëndrojë më tutje në PDK.