Telegrafi

Bruno Fernandes është futbollisti i parë i Unitedit që del kundër Superligës Evropiane

(Foto: Instagram/brunofernandes.10)

Bruno Fernandes është bërë futbollisti i parë i Manchester Unitedit që ka reaguar ndaj propozimit për formimin e Superligës Evropiane.

Djajtë e Kuq janë në mesin e 12 klubeve që janë pajtuar që t’i bashkohen turneut të ri elitar të futbollit.

Ditën e diel, klubi anglez lëshoi një komunikatë për shtyp duke treguar planet e tyre për të garuar në Superligën Evropiane.

Fernandes ka reaguar ndaj projektit që ka nxitur kundërthënie të shumta dhe kështu është ndër lojtarët e parë që flet për garën e re potenciale.

Portugezi ka komentuar në një postim të Daniel Podence në Instagram dhe publikimin e ka shpërndarë në profilet e tij.

Lexo po ashtu Ceferin akuza edhe kundrejt shefit të Unitedit: Nuk e kemi ditur se kemi gjarpinj afër nesh, tash e dimë

Anësori i Wolverhampton Wanderers kishte shkruar: “Topi. Kënga. Ëndrra. Vole i Zidane. Soloja e Kaka. Liverpooli në Athinë. Ole në Barcelonë. Cris dhe Seedorf. Janë disa gjëra për të cilat jo thjesht mund të paguajmë”.

Ndërsa reagimi i Fernandes në mbishkrimin e fotografisë së shpërndarë në InstaStory ishte: “Ëndrrat nuk mund të blihen”. /Telegrafi/

(Foto: Instagram/brunofernandes.10)