Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK), Arsim Bruçaj, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se këto institucione financiare e kanë ndihmuar zhvillimin e ekonomisë dhe të bizneseve.
Bruçaj ka treguar se institucionet mikrofinanciare kanë porfoljo kreditore prej rreth 160 milionë euro, me rreth 80 mijë klientë. Por lejimi i pagesave dhe transaksioneve, sipas tij, do të ndikonte në uljen e kamatave të kredive.
“Institucionet mikrofinanciare i shërbejnë rreth 80 mijë klientëve, ku janë të punësuar rreth 1000 punëtorë, ku janë shpërndarë rreth 150 milionë euro kredi. Mënyrë e funksionimit të institucioneve Mikrofinanciare në Kosovë është se shumica e kredive financohen me hua që merren prej partnerëve tanë si BERZH, Banka Botërore, Fondit Evropian për Evropën Juglindore dhe partnerë të tjerë. Shërbimi që ofrojnë dhe funksionojnë duhet të shihen në kontekst të modelit me të cilin veprojnë”, tha Bruçaj.
Ai ka thënë se fokusi i tyre si Asociacion i Institucioneve Mikrofinanciare, është reformimi i tyre duke rritur gamën e shërbimeve.
“Jemi duke dialoguar me Komisionin për Buxhet dhe Financa, Mistrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës, është draftuar një Projektligj për institucionet mikrofinanciare dhe jemi në proces të diskutimeve. Por kërkesë e jona është që institucioneve mikrofinanciare t’u lejohet që të bëjnë edhe shërbime të tjera siç janë pagesat dhe transfere dhe paraja elektronike, e nëse lejohen këto shërbime në uljen e kamatave, pasi do të kishin të hyra të tjera shtesë. Nëse lehen këto shërbime të reja do të kishte uljeje të kamatave për kredi prej 2 deri në 3 për qind”, tha drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK), Arsim Bruçaj.
Ai ka treguar se klientë të këtyre institucioneve financiare janë qytetarët që nuk marrin shërbime nga bankat.
Këto institucione mikrofinanciare, sipas Bruçajt, kanë kontribuar në sektorin e bujqësisë e po ashtu edhe të fuqizimit të grave. /Telegrafi/