Site icon Telegrafi

Brnabiq thotë se Kosova ia bëri “tri goditje” Serbisë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka thënë pas seancës së Këshillit të Sigurimit Kombëtar se vendimi i Prishtinës për dialog “është në kundërshtim me “mendjen e shëndoshë”.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Brnabiq ka thënë se platforma e Prishtinës është goditja e tretë, dhe se Serbia do të reagojë në mënyrë të matur.

“Goditja e parë ishte mosrespektimi i Marrëveshjes së Brukselit nga Prishtina. Sot, 2,149 ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Prishtina nuk ka bërë asgjë, nuk zbatoi asnjë letër të atij dokumenti. Nuk ka asgjë nga Asociacioni i Komunave Serbe, që është obligim i vetëm i Prishtinës dhe shtylla e marrëveshjes”, citohet të ketë thënë ajo.

Lexo po ashtu Ekskluzive: Platforma e dialogut thotë se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm (Dokument)

Një goditje tjetër, tha ajo, ishte futja e një takse për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Ajo kujtoi se tarifat u prezantuan së pari më 6 nëntor dhe për shkak të reagimit “të dobët” të bashkësisë ndërkombëtare, ajo u rrit në 100 për qind.

“Deri tani nuk është anuluar. Prishtina ka dhënë një mesazh të qartë për BE-në dhe SHBA-në se ajo nuk do të hiqet dhe ishte goditja e dytë e madhe. Goditja e tretë përfundimtare është miratimi i kësaj platforme”, ka përfunduar Brnabiq. /Telegrafi/

Exit mobile version