Site icon Telegrafi

Brnabiq paralajmëron vizitë në Kosovë, Qeveria hesht

E mandatuara për krijimin e Qeverisë së re të Serbisë, Ana Brnabiq dhe drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Petar Petkoviq, do të vizitojnë Kosovën të hënën më 5 shtator, ku do të qëndrojë në Mitrovicë, Zveçan dhe Leposaviq.

Qeveria e Kosovës e MPJD deri më tani nuk kanë konfirmuar për Telegrafin nëse e kanë lejuar vizitën e parë të Brnabiqit në Kosovë.

Sipas raportimeve të N1, vizita do të fillojë të hënën në mëngjes, ku Brnabiq do të vizitojë qendrën multimediale dhe Akademinë Shpirtërore në Mitrovicë, pas së cilës planifikohet të vizitojë manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.

Në komunën e Leposaviqit, ajo do të vizitojë familjen e vëllezërve Radosavljeviq, të cilët do të vendosen në shtëpinë e re të ndërtuar me mjete nga Qeveria e Serbisë. Brnabiq do ta mbyllë vizitën në komunën e Leposaviqit me një xhiro nëpër ferma familjare.

“Vizita e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, në Kosovë synon të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, në kuadër të të cilave rruga e vetme për të arritur këtë është qëndrimi dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, gjithashtu është bërë e ditur se vizita është paralajmëruar 72 orë më herët, që është në përputhje me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version