Site icon Telegrafi

Britania do të lejojë “përzierjen” e vaksinave kundër COVID-19, edhe pse në raste të rralla

Britania e Madhe do të lejojë që njerëzve t’u jepen vaksina të ndryshme për COVID-19 në raste të rralla, pavarësisht nga mungesa e provave rreth shkallës së imunitetit të ofruar nga përzierja e dozave.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, në një qasje ndryshe nga bota, qeveria britanike ka thënë se njerëzve mund t’u jepet një përzierje e dy vaksinave për COVID-19, për shembull nëse e njëjta dozë e vaksinës do të ishte jashtë stokut, sipas udhëzimeve të botuara në prag të Vitit të Ri.

“(Nëse) e njëjta vaksinë nuk është e disponueshme, ose nëse produkti i parë i marrë është i panjohur, është e arsyeshme të ofrohet një dozë e produktit të disponueshëm në vend për të përmbushur dozën”, sipas udhëzimeve.

Mary Ramsay, kreu i imunizimeve në Shëndetin Publik në Angli, tha se kjo do të ndodhte vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla dhe se qeveria nuk po rekomandonte përzierjen e vaksinave, të cilat kërkojnë të paktën dy doza të dhëna disa javë larg njëra-tjetrës.

“Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për t’u dhënë atyre të njëjtën vaksinë, por kur kjo nuk është e mundur është më mirë të jepet një dozë e dytë e një vaksine tjetër sesa asgjë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, COVID-19 ka vrarë më shumë 74,000 njerëz në Britani – numri i dytë më i lartë i të vdekurve në Evropë dhe zyrtarët shëndetësorë po garojnë për të dhënë dozat e vaksinës për të ndihmuar në përfundimin e pandemisë ndërsa frika rritet se shërbimi shëndetësor mund të mbingarkohet. /Telegrafi/

Exit mobile version