Numri i vdekjeve nga Covid-19 në Britani të Madhe është rritur në nivelin e tyre më të lartë ditor që nga fillimi i marsit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Autoriteti i Statistikave në Mbretërinë e Bashkuar raportoi të martën se 223 njerëz kishin vdekur brenda 28 ditëve nga testimi pozitiv për Covid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 138,852.
Ky ishte numri më i lartë i vdekjeve nga Covid-19 në Britani që nga 9 marsi, kur vdiqën 231 persona.
Të hënën, u raportuan pothuajse 50,000 raste të reja të coronavirusit, me incidencë shtatë ditore në 435 për 100,000 banorë.
Sidoqoftë, deri më tani, ka pak fjalë mes qeverisë britanike për rivendosjen e kufizimeve të lidhura me coronavirusin.
Në Angli, përdorimi i detyrueshëm i maskave në ambiente të mbyllura ose kërkesat e provës së vaksinimit ose testit negativ kanë qenë më shumë përjashtim sesa rregull që nga e ashtuquajtura “Dita e Lirisë” në korrik.
Ndërkohë bëhet e ditur se pothuajse 79 për qind e qytetarëve të përshtatshëm për vaksina të moshës 12 vjeç e lart janë plotësisht të vaksinuar. /Telegrafi/