Britania e Madhe sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tha se Rusia ka përdorur një armë të tmerrshme dhe të e ndaluar në luftë, në një qytet paqësor britanik.
Ky reagim i Britanisë vie pas vendimit të qeverisë britanike për dëbimin e 23 diplomatëve rusë, pasi Moska refuzoi të japë shpjegime për tentimin e vrasjes së ish-agjentit rus në Britani.
Por Rusia ka mohuar vrasjen në tentativë dhe thotë se do të reagojë në mënyrë të përshtatshme ndaj Britanisë.
Duke ju drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sonte ambasadori i Britanisë, Jonathan Allen e akuzoi Rusinë për shkeljen e detyrimeve të saj, sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike.
Ai tha se kanë dëgjuar kërcënimet nga Rusia, por se Britania e Madhe nuk do të ndalet.
“Ne do të qëndrojmë pranë vlerave që ndahen nga shumica dërrmuese e vendeve në Këshillin e Kombeve të Bashkuara dhe ne ju kërkojmë sot, që të qëndroni pranë nesh”, shtoi ai.
Në përgjigjen e tij, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya mohoi përfshirjen e Moskës në sulm dhe kërkoi prova materiale nga Britania për të mbështetur akuzat e saj.
“Na u dha një ultimatum dhe kërkuan në 24 orë për të pranuar se kemi kryer një krim. Ne nuk flasim gjuhën e ultimatumeve, nuk e përdorim atë gjuhë me askënd, dhe nuk do të lejojmë që të flitet në atë gjuhë”, tha ai.
Kurse ambasadorja amerikane, Nikki Haley tha se Uashingtoni është në solidaritet absolut me Britaninë dhe ka përmendur marrëdhënien e veçanta mes dy vendeve, duke thënë se “SHBA-të do të jenë gjithmonë pranë Mbretërisë së Bashkuar”. /kp/Telegrafi/