Site icon Telegrafi

Britania propozon mekanizëm të përbashkët për G7 kundër propagandës ruse

Grupi i Shtatëshes më të fuqishme të botës do të analizojë një propozim për të krijuar një mekanizëm të reagimit të shpejtë për t’iu kundërvënë “propagandës” dhe dezinformimit rus, tha Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab duke folur me agjencinë e lajmeve Reuters.

Në komentet para takimit të ministrave të jashtëm të G-7, i pari takim i tillë i zhvilluar me prani fizike në dy vjet, zoti Raab tha se Britania “po mbledh G-7 për t’i bashkuar në mbështetje të një mekanizmi të përgjigjes së shpejtë” ndaj dezinformimit rus.

“Kur shohim gënjeshtra e propagandë të tillë në qarkullim të përgjigjemi, jo në mënyrë individuale, por së bashku duke prezantuar të vërtetën si për popullatën tonë, ashtu edhe për njerëzit në mbarë botën, në Rusi, Kinë e kudo”, tha ai.

Rusia dhe Kina po përpiqen të mbjellin mosbesim në Perëndim duke përhapur dezinformata për zgjedhjet si dhe gënjeshtra për vaksinat, sipas zyrtarëve britanikë, amerikanë e të BE-së.

Rusia hedh poshtë akuzat se përzihet në punët e vendeve të tjera dhe thotë se Perëndimi është i fiksuar nga histeria anti-ruse.

“Ka ardhur koha të pyesim përse këto vende që janë të kalbura në thelb nga propaganda dhe që e kanë përdorur propagandën më shumë se një herë për të justifikuar rrëzimin e qeverive të ndryshme, na akuzojnë ne për mëkatet e tyre”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova përmes një postimi në median sociale, pas komenteve të zotit Raab.

Kina thotë se Perëndimi angazhohet në bulizëm dhe se udhëheqësit e tij kanë një mentalitet pas-perandorak që i bën të ndjehen se kanë të drejtën të sillen si policët e botës.

Britania e ka identifikuar Rusinë si kërcënimin më të madh të sigurisë, megjithëse e konsideron Kinën si sfidën më të madhe afatgjatë në aspektin ushtarak, ekonomik e teknologjik.

Sekretari i Jashtëm britanik Raab do të takohet me homologun amerikan Antony Blinken të hënën në fillim të një jave kontaktesh diplomatike me synimin për të fuqizuar rolin e G-7 dhe për të formuar një mburojë më të fortë kundër forcave që shihen si sfiduese ndaj rendit global. /VOA/

Exit mobile version