Britania e Madhe po bën presion për një marrëveshje për lirinë e lëvizjes që do t’i lejojë australianët të jetojnë dhe të punojnë në të dy vendet pa vizë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, propozimi u diskutua nga sekretarja e Tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar, Liz Truss dhe ministri Australian i Tregtisë, Simon Birmingham, në Canberra të mërkurën.
“Është sigurisht diçka që do ta shikojmë si pjesë e negociatave tona të tregtisë së lirë”, citohet të ketë thënë sekretarja Truss në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Parlamentit.
Zonja Truss tha që Mbretëria e Bashkuar do të ‘shikonte’ propozimin si pjesë e bisedimeve tregtare para Brexit-it me Australinë.
“Ne duam një marrëveshje plotësisht tregtare gjithëpërfshirëse që pasqyron marrëdhëniet tona të thella, të vazhdueshme, miqësinë midis dy vendeve tona, faktin që australianët duan të vijnë dhe të jetojnë dhe të punojnë në Britani, dhe britanikët dëshirojnë të vijnë dhe të jetojnë dhe të punojnë në Australi”, ka thënë ajo.
Megjithatë, mediat britanike shkruajnë se propozimi u refuzua nga kryeministri Scott Morrison vetëm muajin e kaluar pasi u shpreh se nuk ishte i interesuar për një marrëveshje të stilit të Zelandës së Re me Mbretërinë e Bashkuar. /Telegrafi/