Britania e Madhe njofton se ka vendosur 65 sanksione të reja ndaj oligarkëve rusë, përfshirë disa zyrtarë, gjashta banka dhe mbesën e shefit të diplomacisë Sergei Lavrov.
Sipas Sekretares britanike të Punëve të Jashtme, Liz Truss vendosja e këtyre sanksioneve të reja është “për të ndërprerë industritë jetike që ushqejnë makinerinë e luftës së Vladimir Putinit”.
“Këta oligarkë, biznese dhe banditë të punësuar janë bashkëpunëtorë në vrasjen e civilëve të pafajshëm dhe është e drejtë që ata të paguajnë çmimin. Putini nuk duhet të ketë iluzione – ne jemi të bashkuar me aleatët tanë dhe do të vazhdojmë të shtrëngojmë vidën mbi ekonominë ruse për të siguruar që ai të dështojë në Ukrainë. Nuk do të ketë asnjë lëshim”, ka thënë Truss, përcjell Telegrafi.
Deri më tani, Britania e Madhe ka sanksionuar mbi 1,000 individë dhe biznese në vlerë prej 600 miliardë euro që nga fillimi i agresionit të Kremlinit në Ukrainë.
Sanksionet e sotme kanë për synim industritë kryesore që mbështesin agresionin e Putinit, duke përfshirë Hekurudhat Ruse dhe prodhuesin kryesor rus të dronëve Kronshtadt. Grupi paraushtarak Ëagner gjithashtu është sanksionuar.
Janë sanksionuar gjashtë banka, përfshirë Alfa Bank, bashkëthemeluesit e së cilës përfshijnë oligarkët e sanksionuar më parë Mikhail Fridman, Petr Aven dhe German Khan.
Individët e sanksionuar përfshijnë miliarderin dhe manjatin e naftës Eugene Shvidler, themeluesin e bankës Tinkoff, Oleg Tinkov, shefin ekzekutiv të Sberbank, Herman Gref dhe mbesën e Sergi Lavrovit, Polina Kovaleva. /Telegrafi/