Site icon Telegrafi

Britania e Madhe vë ‘në shënjestër’ disa shqiptarë, lidhje me krimin

Britania e Madhe ka vendosur ‘nën shënjestër’ disa shtetas shqiptarë, sipas saj janë të përfshirë në krim dhe korrupsion.

Lajmi është publikuar në faqen e qeverisë britanike, ku nëvizohet se janë marrë masa ndëshkuese.

Në shkresën e të dërguarit të Posaçëm të kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, nënvizohet se kjo është “vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”.

“Këtë javë, ne ndërmorën masa ndëshkuese kundër disa individëve shqiptarë me lidhje të me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara. Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh të vlefshme për të ndaluar individët që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin, përfshirë emigracionin dhe ndërprerjen e lidhjeve ekonomike. Detajet e këtyre veprimeve nuk mund të bëhen gjithnjë publike”, thuhet në dokument.

Stuart Peach shprehet se “mbështetja, që disa figura publike marrin nga kriminelët në shkëmbim të akteve të tyre korruptive, e mbyt zërin e qytetarëve shqiptarë”.

“Siç tregon edhe raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare. Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë. Tani nevojiten ndryshime të tjera si dhe reforma zgjedhore”, thuhet më tej në shkresë.

Sipas tij, paratë e fondeve publike të mbledhura nga qytetarët e thjeshtë nuk arrjnë kurrë tek shkollat, spitalet dhe rrugët që u nevojiten qytetarëve.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri dhe më gjerë në rajon nënkuptojnë se pjesa më e madhe e fondeve publike, të mbledhura nga taksapaguesit e thjeshtë, nuk arrin kurrë tek shkollat, spitalet dhe rrugët që u nevojiten qytetarëve, të cilët të mund të krijojnë një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë”, thuhet më tej.

Autoritetet britanike nënvizojnë promovimi i krimit ose korrupsionit – qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë – nuk do të shkojë pa pasoja.

“Ata individë që e bëjnë këtë dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin e tyre. Qoftë nëpërmjet sanksioneve, veprimeve të imigracionit apo politikave të mosangazhimit, MB do të veprojë për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version