Telegrafi

Britania e Madhe vazhdon të përballet me rritje të rasteve nga coronavirusi, brenda 24 orëve u regjistruan afër 3,000 të prekur

Britania e Madhe ka regjistruar 2,948 raste të reja nga coronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 350 mijë, bazuar në të dhënat zyrtare.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, vendi regjistroi tre viktima të tjera, sakaq shifra e të vdekurve është rritur në 41 mijë.

Britania e Madhe edhe gjatë ditës së djeshme regjistroi afër 3,000 raste të reja me COVID-19.

Lidhur me këtë rast, Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, njoftoi se vendi do të fillojë prodhimin e 30 milionë dozave të vaksinës kundër coronavirusit, e cila është zhvilluar nga studiuesit e Universitetit të Oksfordit.

“Ne tashmë i kemi porositur 30 milionë doza të vaksinës nga AstraZeneca, derisa edhe prodhimi i tyre ka filluar, përpara miratimit”, u shpreh ai. /Telegrafi/