Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se vendimi i Britanisë së Madhe për të pezulluar disa shitje armësh në Izrael, është “i turpshëm”.
“Në vend që të qëndrojë me Izraelin, një demokraci tjetër që mbrohet nga barbarizmi, vendimi i gabuar i Britanisë vetëm sa do të inkurajojë Hamasin”, tha ai në mediat sociale, transmeton Telegrafi.
Komentet e tij vijnë pasi Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, këmbënguli se vendi i tij mbetet një “aleat i vendosur”, duke i thënë BBC-së se siguria e Izraelit nuk do të dobësohet nga pezullimi i rreth 30 nga 350 licencat e eksportit.
Ministrat thonë se armët mund të përdoren në Gaza për të shkelur ligjin ndërkombëtar. Por grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International UK, tha se masat ishin “shumë të kufizuara”.
Të tjerë kanë kritikuar kohën e njoftimit, duke ardhur në të njëjtën ditë që u varrosën gjashtë pengjet e vrarë nga Hamasi javën e kaluar. /Telegrafi/