Numri i të vdekurve nga coronavirusi në Britani të Madhe ka arritur në 3,605, pasi brenda një dite u shtuan edhe 684 të tjerë.
Ky mbetet numri më i madh i të vdekurve brenda një dite, pasi që nga dita e martë numri i viktimave që vdisnin brenda ditës, vetëm shkonte duke u shtuar, transmeton Telegrafi.
Departamenti i Shëndetësisë, njoftoi një ditë më herët për 569 fatalitete, që nënkupton se në ditët në vijim, ky numër është rritur për 20 për qind.
Që nga fundi i muajit të kaluar, numri i i vdekurve nga kjo pandemi është pesëfishuar, derisa në ditët në vijim, nuk pritet të ketë përmirësim.
Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock njoftoi për parashikime shumë zymta të ekspertëve.
“Gjatë javës që vjen, do të vdesin deri në 1,000 persona brenda një dite dhe kjo do të vazhdojë deri në të dielën e Pashkëve”, ka thënë Hancock.
Kjo situatë që ndodhet Britania e Madhe, konsiderohet të jetë si pasojë e mos mbylljes, pasi coronavirusi vetëm ishte duke u përhapur në masë të madhe.
Raportohet se mbi 38 mijë banorë janë të infektuar me coronavirus, ndërsa spitalet janë të angazhuara maksimalisht për trajtimin e tyre. /Telegrafi/