Site icon Telegrafi

Britania e Madhe bëhet gati për prodhimin e tankut më të fuqishëm në Evropë, “Challenger 3” peshon 66 tonelata dhe lëviz me 100 km/h

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, më 7 maj edhe zyrtarisht ka njoftuar që ushtria e Britanisë së Madhe në një të ardhme të afër do të ketë tankun më të fuqishëm në Evropë, prodhimi i të cilit do të fillojë së shpejti.

Projekti është bërë e ditur se kap vlerën e 800 milionë funteve, kurse prodhues do të jenë kompanitë britaniko-gjermane Rheinmetal BAE Sistems Land (RBSL) me seli në Tellford, transmeton Telegrafi.

Siç është bërë e ditur në marrëveshje, parashihet hapja e mbi 200 vendeve të punës në kompaninë Rheinmetal BAE Sistems Land. Me këtë marrëveshje parashihet hapja e 200 vendeve të punës si dhe 130 tjerë për inxhinierë dhe 70 për teknikë – e si alternativë parashihen edhe 450 vende tjera në ndërtimin e 148 tankeve të reja.

Gjithashtu marrëveshja për prodhim parasheh një hallkë të gjerë të furnizimit, nga kompani të ndryshme private që do të luanin rol kyç në program.

Tanku do të ketë top të kalibrit 120 mm sikurse versioni Challenger 2. Kupola e saj do të jetë e projektuar që në mënyrë digjitale të operoj. Paralajmërohet se do të prodhohen edhe municione të reja për tankun që do të lëviz me shpejtësi më të madhe, dhe do të ketë një precizitet më të madh gjatë gjuajtjes.

Tanku do të pajiset edhe me motor të ri me sistemin më të avancuar të ftohjes. Do të ketë edhe një sistem plotësisht të ri të stabilizimit të topit gjatë gjuajtjes. Shpejtësia maksimale e këtij mjeti të blinduar nëpër terrene të rrafshëta do të jetë 100 kilometra në orë dhe do të peshojë 66 tonelata.

Inxhinierët kanë premtuar edhe projektimin e sistemit të ri për kontrollimin dhe shkrepjen e predhave të ndryshme, kurse shoferi do të ketë në dispozicion kamera me rezolucion të lartë që do t’i mundësojë lëvizjen më të lehtë edhe gjatë natës.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wallace, ka thënë se tanku Challenger 3 paraqet një avancim të madh në modernizimin e këmbësorisë britanike. Ai ka theksuar se teknologjia revolucionare që do të përdoret në tank, do t’i mundësojë të jetë në hap me kohën dhe gjithmonë në konkurrencë.

Në anën tjetër, gjenerali Chris Tickel, ka bërë të ditur se tanku do të jetë plotësisht i digjitalizuar me një aftësi të integrimit të të gjitha informatave që vijnë nga të gjitha anët.

Kujtojmë që Britania e Madhe ka filluar projektimin e tankut të ri Challenger 3, me qëllim që ta zëvendësojë me versionin Challenger 2 që përdoret nga ushtria e këtij vendi që nga viti 1998. E siç është bërë e ditur do të futet në përdorim në vitin 2030, e njësitë e para pritet të mbërrijnë nëpër kazerma në vitin 2027.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe do të jetë operative, më mirë e mbrojtur nga sulmet nga kundërshtarët e mundshëm, e gjithçka përshtatet me konceptin e investimeve në nivelin ushtarak me një kosto prej tre miliardë funteve që do të investohen gjatë 10 viteve të ardhshme me qëllim që ushtria britanike të jetë më moderne. /Telegrafi/

Exit mobile version