Niveli i papunësisë në Britaninë e Madhe rezultoi në 6 për qind edhe pse rritja e pagave ishte më e madhe se parashikimet e analistëve në periudhën Korrik-Shtator.
Zyra Kombëtare e Statistikave konfirmoi papunësinë në 6 për qind, ndërsa numri i njerëzve pa një vend pune u rrit me 115 mijë njësi. Analistët e anketuar nga Reuters, parashikonin një rënie të lehtë të papunësisë deri në 5.9 për qind.
Ndërsa pagat, me përjashtim të bonuseve u rritën me 1.3 për qind nga 0.9 për qind që ishte rritja në periudhën Qershor-Gusht. Rritja e pagave ishte pak më e lartë se inflacioni, që ra në 1.2 për qind në Shtator. Rritja e ulët e pagave është bërë një pengesë për ekonominë në Mbretërinë e Bashkuar, duke mbetur pas krahasuar me ritmin e rritjes ekonomike, që nga shpërthimi i krizës financiare.
Ndërkohë, Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney ka deklaruar se nuk do të rritet norma bazë e interesit deri në momentin që do të shihet një përmirësim i ndjeshëm i pagave dhe produktivitetit në vend. Ndërkohë në një konferencë për mediat, guvernatori Carney u shpreh se rritja e çmimeve në
Britani do të bjerë poshtë 1 për qind gjatë 6 muajve të ardhshëm.
“Inflacioni parashikohet të qendrojë shumë poshtë objektivit në terma afatshkurtër dhe me shumë mundësi do të ulet poshtë 1 për qind gjatë 6 muajve të ardhshëm”, deklaroi Carney. Sipas tij, rritja e çmimeve do të rritet gradualisht, në rreth 2 për qind, për një periudhë 3-vjeçare. /Telegrafi/