Site icon Telegrafi

Brightoni eliminon Chelsean nga FA Cup

Brighton ka shënuar fitore në shtëpi me rezultat 2-1 ndaj Chelseat duke avancuar kështu tutje në 1/8 e finales në FA Cup.

Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët që realizuan për 1-0 në minutën e pestë pas një gabimi fatal të portierit vendas Bart Vertbruggen.

I shpejtë ishte reagimi i vendasve të cilët ia dolën të barazojnë shifrat në minutën e 12-të me anë të Georginio Rutter që realizoi për 1-1 me kokë.

Me të filluar pjesa e dytë, Brightoni gjeti edhe golin e rikthimit që në fund i mjaftoi për të siguruar kualifikimin tutje.

Autor i këtij goli ishte Kaoru Mitoma i cili shënoi për rezultatin 2-1 në minutën e 57-të, ku kësaj radhe Rutter ishte në rolin e asistuesit.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Brightoni ia doli ta menaxhojë mirë epërsinë e krijuar duke eliminuar kështu Chelsean nga kjo garë.

Sidoqoftë, kjo nuk do të jetë përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave, pasi ‘lufta’ mes tyre tani do të zhvendoset në Ligën Premier.

Të premten e ardhshme Brightoni do të jetë sërish nikoqir i Chelseat në Ligën Premier me fillim nga ora 21:00./Telegrafi/

Exit mobile version