Duket se po rrezikohet dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen shprehu shqetësim mbi njoftimet e qeverisë britanike se do të miratojë një ligj që do të anulonte pjesë të marrëveshjes për largimin nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se kjo shkel ligjin ndërkombëtar dhe minon besimin.
“Unë jam shumë e shqetësuar rreth njoftimeve të qeverisë britanike për të shkelur Marrëveshjen e Shkëputjes. Kjo do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe do të minonte besimin. “Pacta sunt servanda”, ai është themeli për marrëdhëniet e ardhshme prosperuese”, shkroi Von der Leyen në llogarinë personale në Twitter.
Very concerned about announcements from the British government on its intentions to breach the Withdrawal Agreement. This would break international law and undermines trust. Pacta sunt servanda = the foundation of prosperous future relations.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) September 9, 2020
Qeveria në Londër thekson se ligji, i cili u prezantua të mërkurën, do të mbrojë tregun shumë të integruar të Britanisë së Madhe dhe do të garantojë ndërmarrjet të vazhdojnë tregtinë pa pengesa në të gjitha pjesët e Mbretërisë së Bashkuar pas periudhës së tranzicionit dhe kur ligjet e BE-së nuk do të zbatohen më në vendin e tyre.
Ligji planifikon të ndryshojë protokollin mbi rregullimet doganore për Irlandën e Veriut, e cila ishte një nga çështjet më të vështira kur negocioi Marrëveshjen e Ndarjes.
Këto njoftime shqetësojnë veçanërisht Irlandën, e cila është e vetmja ka një kufi tokësor me Mbretërinë e Bashkuar, por edhe Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. /Telegrafi/