Breshëri armësh dhe shpërthime kanë ndodhur në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, sipas dëshmitarëve, qeverisë somaleze dhe udhëheqësve të opozitës, ndërsa forcat e sigurisë u përplasën me protestuesit e zemëruar nga zgjedhjet e vonuara.
Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, ishte e paqartë se kush hapi zjarr i pari, por një dëshmitar raportoi një “shkëmbim të rëndë armësh” midis forcave të sigurisë dhe rojeve të armatosura që mbronin mbështetësit e opozitës të cilët filluan marshimin e tyre përgjatë rrugës kryesore të aeroportit.
“Mund të ketë viktima, por tani nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur”, i tha ai agjencisë së lajmeve AFP.
Një dëshmitar tjetër Fadumo Moalim i tha AFP: “Ne po ecnim paqësisht përgjatë rrugës së aeroportit së bashku me ish-kryeministrin Hassan Ali Kheire, kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj nesh”.
Dhuna vjen pas disa javësh tensionesh mbi mbajtjen e zgjedhjeve të vonuara në vendin afrikan.
https://www.youtube.com/watch?v=QYALXnxiTRQ
Catherine Soi e Al Jazeera, duke raportuar nga Nairobi, tha se të shtënat me armë shpërthyen në një zonë afër aeroportit dhe se qeveria dhe burimet e opozitës kishin raportuar incidente.
“Na është thënë që e gjithë zona ku ndodhi incidenti është rrethuar nga policia dhe ushtria”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se shpërthime të mëdha janë dëgjuar në disa ndërtesa në zonë, por situata ishte qetësuar. /Telegrafi/