Në muajin e parë të qeverisjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës”, Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës-Infrakos” dhe drejtorët e Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça”.
E, pas shkarkimeve që ka bërë, kryeministri Kurti gjatë ditë së sotme ka emëruar borde të përkohshme në ndërmarrjen publike “Telekomi i Kosovës”, dhe në ndërmarrjen publike “Trepça”.
Në bordin e përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike, “Telekomi i Kosovës”, do të jenë Genc Raci, Naim Maloku, Luljeta Elezi dhe Teki Shala, transmeton Telegrafi.
Ndërsa në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes publike, “Trepça”, do të jenë Sylejman Hyseni, Bahri Hyseni, Shyqyri Kelmendi, Shyqyri Sadiku do të jenë në krye të këtij bordi. Aktualisht, pa bord drejtues ka mbetur vetëm Ndërmarrja Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës-Infrakos”, përcjell Telegrafi.
Dy bordet e emëruara janë të përkohshme dhe nuk mund të zgjasin më shumë se gjashtë muaj.
Në mbledhjen të cilën e ka mbajtur sot Qeveria e Kosovës, është emëruar edhe Naim Gashi, drejtori i Agjencisë Kosovare të Akreditimit.
Gjithashtu, në muajin e parë të qeverisjes, kreyeministri Kurti ka shfuqizuar disa nga vendimet e Qeverisë së kaluar.
– U shfuqizua vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për pagat e ish-ministrave e ish-zëvendësministrave pasi ata përfundojnë mandatin.
– U shfuqizua Vendimi i Qeverisë i datës 11.09.2018, për aprovimin e koncept-dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë.
– Shfuqizimi i vendimeve të emërimeve të 14 konsujve nëpër botë.
– Anuloi vendimin për dy kyçje dhe një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”, nga konsorciumi Bechtel Enka.
Po ashtu, Kurti ka anuluar edhe disa projekte:
-Anulimi i tenderit 110 milionësh i autostradës Prishtinë-Gjilan i shpallur pa miratim buxhetor.
– Anulimi i ndërtimit të lagjes pranë liqenit të Badovcit. /Telegrafi/