Lufta e shumë pritur mes Anthony Joshuas dhe Wladimir Klitschkos po afrohet dhe e gjitha bota e sportit me 29 prill do të ketë sytë e kthyer nga stadiumi Wembley.
Klitschko ka filluar përgatitjet tash e një kohë, por aktualisht ai është duke u stërvitur intensivisht në kampin e tij stërvitor në Alpet e Austrisë.
“Mendoj se kjo është lufta ime më e rëndësishme në karrierë”.
“Më falni nëse tregohem arrogant. Por, për shembull, po ngrehi një paralele: Mali Everest”.
“Ai është atje për një kohë të gjatë dhe do të jetë. Mund të ngjiteni në një periudhë të caktuar të vitit, gjatë dy javëve në Prill besoj. Unë jam Everesti dhe njerëzit vdesin duke tentuar të ngjiten në mal”.
“Mund të ngjitesh në maje dhe të thuash “E kam pushtuar Everestin!’, por duhet të vraposh të kthehesh poshtë pasi ai do të rrëzojë në rast se nuk e bën këtë”.
“Shumë njerëz vdesin atje, disa e arrijnë, disa jo. Por, Mount Everest është ende atje, a është mposhtur?”, ka thënë Klitschko, duke ia përkujtuar Joshuas se me kë ka të bëjë.
Prej se u bë boksier profesionist në vitin 1996, ai i ka fituar 64 meçe, 53 prej tyre me nokaut, prandaj për britanikun e ri ky duel do të jetë i vështirë.
Klitschko madje ka thënë se nëse fiton do t’i ndihmojë Joshuas që të kthehet duke u bërë mentor i tij, ndërsa nëse humb, atëherë do t’ia urojë fitoren.
Meçi, i cili ishte anuluar në vitin e kaluar për shkak të lëndimit të ukrainasit, do të zhvillohet më 29 prill në Wembley para 90.000 shikuesve, ashtu që do të jetë spektakli më i madh në histori të boksit britanik, por edhe në gjithë Evropën. /Telegrafi/