David Cameron kishte mbajtur lotët kur ai qëndroi para kamerave të premten jashtë Downing Street, duke kumtuar lajmin se do të japë dorëheqje pas gjashtë vitesh si kryeministër.
Por, lotët nuk kishte mundur t’i mbante më, kur dera e famshme e zezë u mbyll pas tij dhe filloi të fliste me stafin e tij të ngushtë, transmeton Telegrafi.
“Ishte shumë emocionuese”, ka thënë njëri prej tyre. “Çdonjëri po qante – burra e gra, madje edhe shërbyesit civilë. Pastaj edhe David filloi të qante”.
E siç përcjellin mediat britanike, kjo ishte pika kulmore e disa orëve të vështira.
Një natë më parë, ai kishte mbledhur disa nga shokët e tij të vjetër për të përcjellë rezultatet e referendumit për qëndrim ose jo në BE.
“Cameron ishte nervoz, por me shpresë për sukses. Një votim i brendshëm kishte parashikuar një rezultat prej 55 për qind pro qëndrimit në Bashkimin Evropian”.
Por jo, ndodhi e kundërta. Në referendumin e mbajtur të enjten, 52 për qind e britanikëve votuan për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, derisa 48 për qind votuan kundër. /Telegrafi/