Liverpooli ka shënuar fitoren e tretë rresht në edicionin e ri të Ligës Premier.
The Reds triumfuan para shikuesve të vetë në stadiumin Anfield Road kundër Arsenalit me rezultat 3-1.
Një prej momenteve që po i konteston trajneri i londinezëve, Unai Emery, ka të bëjë me penaltinë e referuar në dobi të vendasve.
Spanjolli ka pohuar se tërheqja prej fanellës së David Luizit të shkaktuar ndaj Mohamed Salahut ishte e lehtë dhe gjyqtari nuk është dashur të tregoj në pikën e bardhë.
“Dënimi ishte çelësi i lojës, por ishte shumë i butë”, tha Emery. “Nëse kjo konsiderohet tërheqje, nuk mendoj se është e mjaftueshme. Ishte zhgënjyese të pranosh një gol në atë kohë sepse ne ishim mjaft të mirë në pjesën e parë. Kemi krijuar dy ose tre raste për të shënuar dhe ne po mbroheshim shumë mirë”, tha ndër të tjerash strategu i Gunners.
Ky dukej një qëndrim i çuditshëm i trajnerit, pasi ndërhyrja ishte dukshme për pothuajse të gjithë në fushë duke përfshirë edhe mbrojtësin brazilian, i cili e pranoi gabimin duke kërkuar falje.
Ndryshe, Liverpooli zë pozitën e parë të renditjes tabelore me nëntë pikë gjersa Arsenali është në vendin e dytë me gjashtë pikë. /Telegrafi/