Telegrafi

Braziliani që pretendon se është njeriu më i vjetër në botë feston 122 vjetorin e lindjes, një vit pasi mposhti coronavirusin

Një brazilian që pretendon se është njeriu më i vjetër në botë, ka festuar 122 vjetorin e lindjes, një vit pasi mposhti sëmundjen e COVID-19 dhe familja e tij thotë se ai po vazhdon të jetë i fortë.

Andrelino Vieira da Silva, i cili jeton në qytetin Aparecida de Goiania në shtetin brazilian të Goias, është lindur më 3 shkurt 1901, sipas kartës së tij të identitetit, transmeton Telegrafi.

Pensionisti, i cili ka 13 nipër e mbesa, 16 stërnipër dhe një stërnip festoi ditëlindjen në fillim të muajit.

Nëse i referohemi kartës së tij të identitetit, kjo do të thotë se ai tani ka mbushur 122 vjeç, duke e bërë atë njeriun më të vjetër në botë. Megjithatë, de Silva nuk është përpjekur të verifikojë moshën e tij me Rekordet Botërore Guinness.

Rekordi zyrtar aktualisht mbahet nga Maria Branyas Morera, e lindur në San Francisko, 115 vjeç, së cilës iu dha titulli pas vdekjes së murgeshës franceze, motrës André, 118, në fillim të këtij viti.

Mbesa e da Silva-s, Anaina Lemes de Souza u tha mediave lokale këtë javë se “ai është ende i fortë”.

“Këtë vit nuk do të bëjmë asgjë sepse disa persona të tjerë në familje kanë probleme, kështu që ne nuk jemi në humor për festë”.

Siç raportohet, da Silva ishte i martuar dhe kishte shtatë fëmijë, pesë prej të cilëve janë ende gjallë.

Vitin e kaluar ai e shënoi rastin gjatë një mbledhjeje me familjen teksa të gjithë u shëruan nga COVID-19. /Telegrafi/