Site icon Telegrafi

Brazili regjistron numër rekord të vdekjeve nga coronavirusi – duket se po bëhet shpejt një “pikë e nxehtë” e re globale

Brazili regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 për një ditë të vetme, me 881 vdekje të reja të konfirmuara gjatë 24 orëve të kaluara, tha të martën ministria e shëndetësisë.

Kështu, sipas France24, përcjell Telegrafi, Brazili, vendi i Amerikës Latine i goditur më rëndë nga pandemia, duket se po bëhet shpejt një “pikë e nxehtë” e re globale.

Siç bëhet e ditur më tej, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga coronavirusi i ri tani ka arritur në 12.400 në vend, me 177.589 raste të konfirmuara – 9,258 deri një ditë më parë.

Kjo e bën Brazilin vendin e gjashtë më të prekur, pas Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Italisë, Francës dhe Spanjës.

“Sigurisht, rritja e rasteve (në Brazil) në ditët e fundit është një shqetësim”, ka thënë Marcos Espinal, kreu i departamentit të sëmundjeve ngjitëse në Organizatën e Shëndetit Pan Amerikan, në një konferencë në Uashington.

Madje ekspertët thonë se numri jo i madh i testeve nënkupton se numrat e vërtetë në Brazil janë ndoshta shumë më të larta.

“Brazili po teston vetëm njerëzit që përfundojnë në spital”, tha Domingo Alves, një nga autorët e një studimi të publikuar javën e kaluar që vlerësoi se numri i vërtetë i infeksioneve në vend ishte 15 herë më i lartë se shifra zyrtare. /Telegrafi/

Exit mobile version