Zyrtarët në Brazil kanë ndaluar publikimin e numrit të përgjithshëm të rasteve me coronavirus pasi vendi kapërceu Italinë me një numër vdekjesh.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti i krahut të djathtë Jair Bolsonaro, i cili ka qenë duke minimizuar rreziqet e coranavirusit të ri që nga fillimi i pandemisë, konfirmoi një ndryshim në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Bolsonaro e ka quajtur coronavirusin si një “grip të butë” dhe ka kundërshtuar nevojën për kufizime, nga frika se një bllokim mund të dëmtonte ekonominë e vendit.
Ndërkohë të premten ai kërcënoi të përfundojë pjesëmarrjen e Brazilit si anëtar në Organizatën Botërore të Shëndetit, duke e akuzuar atë për njëanshmëri ideologjike.
Ekspertët e shëndetit, parlamentarët dhe avokatët kanë kritikuar ashpër masat e qeverisë për të mbuluar ndikimin e shpërthimit në Brazil.
“Manipulimi i statistikave është një manovër e regjimeve totalitare”, shkroi Gilmar Mendes, gjyqtar i Gjykatës Supreme në Twitter.
Brazili është ndër vendet më të goditura në botë nga pandemia, dhe të paktën 36,000 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 atje ndërsa rreth 673,000 kanë dalë pozitivë në testet për coronavirus, numri i dytë më i lartë në botë, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins te dielën. /Telegrafi/