Telegrafi

Brazili mposht thellë Paraguain, Argjentina minimalisht Kolumbinë

Kombëtarja e Brazilit dhe ajo e Argjentinës kanë marrë fitoret e radhës në kualifikimet për Kupën e Botës “Katar 2022”, me Selecaon që ka mposhtur 4-0 Paraguain, ndërsa Albiceleste ka triumfuar 1-0 ndaj Kolumbisë.

Dy kombëtaret e mëdha nga Amerika Jugore kanë marrë fitoret e radhës dhe kanë vazhduar serinë pa humbje në ndeshjet kualifikuese, edhe pse tashmë janë kualifikuar para disa ndeshjeve.

Brazilia ka kryer lehtë detyrën në shtëpi ndaj Paraguait, duke e mposhtur me dominim dhe rezultat të thellë 4-0.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultat 1-0 falë golit të vetëm të shënuar nga Raphininha në minutën e 28-të.

Në pjesën e dytë Selecao shënoi edhe tri herë me anë të Philippe Coutinhos (62’) për 2-0, Antony (86’) për 3-0 dhe Rodrygo (88’) për rezultatin përfundimtar 4-0.

Në anën tjetër, Argjentina mori fitore minimale 1-0 në shtëpi ndaj Kolumbisë.

Goli i vetëm në këtë fitore të kombëtares Albicelste u shënua në minutën e 23-të me anë të Lautaro Martinez.

Pas këtyre fitoreve, Brazili e sheh veten në pozitën e parë me 39 pikë, ndërsa Argjentina e dyta me 35 pikë. /Telegrafi/