Site icon Telegrafi

Brazili dërgon ushtrinë në kufi me Venezuelën

Brazili ka dërguar ushtrinë në kufirin me Venezuelën për të “garantuar rendin dhe sigurinë” mes një fluksi të paimagjinueshëm emigrantësh që largohen nga vendi i goditur nga kriza ekonomike.

Presidenti Michel Temer tha gjatë një fjalimi televiziv të së martës se, situata “tragjike” e Venezuelës kërcënonte paqen anembanë Amerikës së Jugut.

Miliona venezuelianë kanë lënë shtëpitë dhe vendin e tyre për shkak të hiperinflacionit dhe mungesës së ushqimeve dhe barnave mjekësore.

Lëvizja e fundit e Brazilit vjen pas një sërë përplasjesh kohët e fundit mes banorëve lokalë të zonave kufitare dhe venezuelianëve që kalonin kufirin.

Presidenti e nënshkroi të martën dekretin, i cili bën të mundur dërgimin e ushtarëve për dy javë përgjatë kufirit dhe rrugëve federale në shtetin verior të Roraimas.

“Problemi i Venezuelës nuk është më një problem politik i brendshëm. Ai është një kërcënim ndaj harmonisë së të gjithë kontinentit”, tha Temer.

Përveçse të garantojnë sigurinë e brazilianëve, detyrë e ushtarëve do të jetë edhe përkujdesja për sigurinë e emigrantëve venezuelianë, theksoi më tej presidenti brazilian.

Ndërkohë, vendi tjetër fqinj, Peruja ka deklaruar emergjencën shëndetësore 60-ditore në dy provinca përgjatë kufirit verior me Venezuelën, pasi autoritetet shëndetësore shprehën shqetësimet e tyre për përhapjen e sëmundjeve nga emigrantët. /TCh/

Exit mobile version