Telegrafi

Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes

Sot bëhen 25 vjet që prej kur është ndarë nga jeta atdhetari, patrioti, mbledhësi i folklorit e shkrimtari, Anton Çetta.

Për nder të figurës së tij, me propozim të Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që muaji nëntor të jetë muaji i Anton Çettës.

“Në kuadër të këtij muaji janë planifikuar që të organizohen një sërë aktivitetesh në nderim dhe kujtim të kësaj figure të ndritshme të Kosovës, por për shkaqe pandemie shumë nga organizimet do të mbahen në mënyrë online ose me sa më pak njerëz të grumbulluar për të respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Aktivitetet kanë nisur nga sot me botimin e kompletit të veprave të Anton Çettës, të cilat i prezantoi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në një takim me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami.

Ndonëse sot parashihet që të bëhej edhe promovimi i kompletit të veprave, mirëpo për shkak të rrethanave me Covid-19, organizimi një promovimi të tillë ishte i pamundur.

Kompleti i veprave të Çettës përmban 13 vëllime, duke përfshirë krijimet për fëmijë, përmbledhjen e folklorit në 5 vëllime, kërkimet folklorike, balada dhe legjenda, këngë kreshnike, varia, të tjerët për veprën e Anton Çettës janë përmbledhur në një vëllim, Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve dhe vëllimi i fundit, intervista dhe letërkëmbime.

Në njoftim thuhet se botimi i kompletit është mbështetur nga MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës.