Site icon Telegrafi

Botët paralele të Carles Puigdemontit

Presidenti rajonal katalonjas i shkarkuar Carles Puigdemont ndodhet në një situatë të çuditshme. A është kjo arsyeja përse ai mban një qëndrim kontradiktor?

Ai është ulur në një lokal në qytetin e tij të lindjes Girona dhe ha drekë. Një grup basketbollistësh dëshirojnë të bëjnë një fotografi me të – pa problem. Puigdemont del shkurt para derës, duke kaluar para kamerave dhe reporterëve që e pyesin (“A e keni të qartë, që ju kanë shkarkuar?”), ai pozon për fotografinë dhe kthehet sërish brenda, e vazhdon të hajë.

Pothuajse njëkohësisht në televizionin katalonjas transmetohet një “fjalim institucional” i regjistruar i ish-presidentit rajonal. Në të Puigdemont e refuzon largimin e tij nga posti dhe bën lutje për “durim, qëndresë dhe perspektivë”, për të avancuar me planin e tij të pavarësisë. Pranë tij janë vendosur si për një burrështeti flamuri katalonjas dhe ai evropian.

Pas fjalimit sërish ai shfaqet në një transmetim të drejtpërdrejtë të një televizioni: Presidenti i shkarkuar është ulur bashkë me fqinjët, thotë moderatorja.

Duket sikur kjo të ishte një ditë fare normale për Carles Puigdemontit. Asgjë nuk duket se ia prish atij qetësinë. As kur më vonë në restorant, ku ai vazhdon të qëndrojë i ulur, qindra serhixhinj dhe tifozë e rrethojnë atë. “President Puigdemont”, thërrasin ata. Shumë kamera e filmojnë skenën.

Lshtë absurde, komenton një kalimtar. Duket sikur Puigdemont jeton në dy botë të ndryshme: në botën e qeverisë spanjolle dhe në botën e vet, që i ngjan më shumë një “realiteti virtual”. “Realiteti virtual” nuk është larg nga “utopia katalonjase”, në të cilën e ka drejtuar popullin katalonjas, Carles Puigdemont.

Një utopi në të cilën zgjedhjet kaotike paraqiten si referendum i vlefshëm me rezultatet të besueshme. Një utopi në të cilën rregullat vendosen e menjëherë paskëtaj nuk respektohen (48 orë pas shpalljes së rezultateve të referendumit sipas planit fillestar duhej të shpallej pavarësia – nga 48 orë kaloi gati një muaj). Votimet parlamentare festohen si legjitime, por në fakt nuk janë të tilla – si p.sh. vendimi për pavarësinë e Katalonjës të premten (27.10).

Sipas profesorit Oriol Bartomeus, politolog në Universitetin autonom të Barcelonës, votimi nuk duhej zhvilluar fare, “sepse Parlamenti në bazë të ligjit nuk ka kompetenca të vendosë për sovranitetin e Katalonjës”. Avokatët e Parlamentit katalonjas kanë arritur në të njëjtin konkluzion.

Opozita para votimit në shenjë proteste u largua nga salla plenare. Nga deputetët që mbetën, dhjetë votuan kundër rezolutës për konstituimin e “një republike katalonjase si shtet i pavarur dhe sovran”. 70 deputetë votuan pro dhe e miratuan rezolutën. Dy dorëzuan fletë të bardha.

Baza e ithtarëve të pavarësisë përreth Carles Puigdemontit, së fundi dukej e dobësuar. Ajo u shpërbë në dy kampe: një krah i moderuar që në fund kërkonte zgjedhje të parakohshme rajonale, dhe një pjesë pa kompromis që kërkon hiç më pak se shpalljen e pavarësisë në mënyrë unilaterale. Veçanërisht përçarja doli në pah, kur Puigdemont para dy javësh deklaroi pavarësinë dhe menjëherë e suspendoi atë.

Nga njëra ai ky ishte një lëshim ndaj partisë radikale të majtë CUP (Kandidatura e Unitetit popullor),që siguroi shumicën në Parlament. Nga ana tjetër ky ishte një sinjal i lëshimit ndaj pjesës së moderuar brenda partisë së tij PDeCat (Partia Evropiane Demokratike e Katalonjës).

Ndarja në dy kampe doli qartë në pah të premten, kur ministri përgjegjës për sipërmarrjet, Santi Vila, dha dorëheqjen për protestë kundër vendimeve të presidentit rajonal dhe e komentoi vendimin e tij në Twitter: “Përpjekjet e mia për dialog sërish kanë dështuar.”

“Në bllokun e pavarësisë ka ende një përçarje”, thotë eksperti Oriol Bartomeus. “Tani kjo nuk është e dukshme, por do të jetë evidente në ditët e ardhshme, kur të diskutohet, nëse përkrahësit duhet të marrin pjesë në zgjedhje më 21 dhjetor ose jo.”

Këto mosmarrëveshje pasqyrohen edhe nga fryma në rrugët e Barcelonës. Lëvizja fillimisht homogjene e pavarësisë u shpërbë në kampe të ndryshme: Nga njëra anë përkrahësit e flaktë të pavarësisë e kanë ndryshuar mendimin qëkurse nisën të tërhiqen nga Katalonja bankat dhe sipërmarrësit. Njerëz këta, që në fillim dëshironin një statut më të fortë autonomie për Katalonjën dhe për protestë dhanë votën e tyre “po” në referendum.

Por, ka edhe katalonjasit e tjerë, të cilët shfaqen në demonstratat më të spikatura dhe kërkojnë vetëm pavarësinë. Këtë pavarësi ata e patën tani – edhe pse fare shkurt. /DW/

Exit mobile version