Presidenti amerikan, Joe Biden lavdëroi të mërkurën Madeleine Albright, duke e përshkruar sekretaren e parë femër të shtetit amerikan si një “forcë të natyrës” dhe një kampione të demokracisë.
“Me mirësinë dhe hirin e saj, humanizmin dhe intelektin e saj, ajo ndryshoi rrjedhën e historisë”, tha Biden gjatë shërbimit funeral në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, raporton cnn.
“Ajo gjithmonë kishte aftësi për t’ia shpjeguar popullit amerikan pse ka rëndësi që njerëzit kudo në botë të marrin frymë në mënyrë të lirë”, tha ai.
Presidenti tha se mësoi për vdekjen e Albrightit ndërsa po udhëtonte për në Evropë gjatë një takimi urgjent me aleatët e NATO-s për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës.
“Nuk më humbi fakti që Madeleine ishte një pjesë e madhe e arsyes që NATO ishte ende e fortë dhe madhëshotre, siç është sot”, tha Biden.
Biden e përshkroi Albrightin si një avokate e grave të reja në sigurinë kombëtare, duke u siguruar gjithmonë se ato kishin një vend në tryezë dhe ishte mentore e “brezave të rinj në politikën e jashtme “.
Albright, e cila vdiq në muajin mars nga kanceri në moshën 84-vjeçare, do të mbahet mend në Kosovë, pasi në vitin 1999 e bindi presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton që të filloi sulmet ajrore ndaj Serbisë për parandalimin e gjenocidit ndaj popullatës shqiptare.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është cilësuar si “Lufta e Madeleinet”.
Ndërkohë, Albright shërbeu edhe si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara përpara se të zgjidhej si Sekretarja e parë femër e Shtetit.
Ajo u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe promovoi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
Në ceremoninë përkujtimore, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, do të mbajnë fjalime, ndërsa sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, dhe paraardhësit e tij, Condoleezza Rice dhe John Kerry, do të jenë të pranishëm.
Nga autoritetet e huaja që po marrin pjesë janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, si dhe zyrtarë të lartë nga Bosnja dhe Hercegovina, Republika Çeke dhe Kolumbia.
Ndryshe, Albright ka lindur në Çekosllovakinë e atëhershme, por familja e saj është larguar dy herë – fillimisht nga nazistët dhe më pas nga sundimi sovjetik.
Ata kanë përfunduar në Shtetet e Bashkuara, ku Albright ka studiuar në Kolegjin Wellesley. /Telegrafi/
“Madeleine was a big part of the reason NATO was still strong and galvanized as it is today,” President Biden says at the late Secretary of State Madeleine Albright’s funeral. “Her name is still synonymous with America as a force for good in the world” https://t.co/z1DXrQPed2 pic.twitter.com/qKmvIT0SjA
— CNN Politics (@CNNPolitics) April 27, 2022