Site icon Telegrafi

Bosi i mafias italiane i njohur si ‘mbreti i kokainës’ arrestohet në Brazil, dy vjet pas ikjes nga burgu

Një bos mafioz italian dhe një kontrabandues famëkeq droge i quajtur “mbreti i kokainës” është arrestuar në Brazil dy vjet pasi kishte dalë nga burgu në Uruguai dhe kishte ikur.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Rocco Morabito u arrestua në qytetin verilindor të Joao Pessoa së bashku me një tjetër italian i cili nuk është emëruar në një operacion të përbashkët nga policia braziliane dhe italiane.

Në një deklaratë, policia federale braziliane tha se Morabito, 54 vjeç, ishte përfshirë në trafikimin e drogës midis Brazilit dhe Italisë që nga vitet 1990.

Ai ishte subjekt i një njoftimi të kuq të Interpolit për rolin e tij midis 1988 dhe 1994 në trafikun ndërkombëtar të drogës, përfshirë një përpjekje për të importuar mbi 1.000 kilogramë kokainë midis 1992 dhe 1993.

Në 1995, Morabito u dënua me 28 vjet burg në mungesë, i cili më pas u rrit në 30 vjet.

Ai nuk u arrestua deri në shtator 2017, pasi ishte kapur në vendpushimin e pasur të Punta del Este në Uruguaj, ku ai kishte jetuar me një emër tjetër për 13 vjet.

Në vitin 2004, ai mori qëndrimin në Uruguai duke përdorur një pasaportë braziliane në emër të Francisco Capeletto por u gjet pasi ai regjistroi vajzën e tij në kolegj nën identitetin e tij real.

Drejtësia uruguajane miratoi ekstradimin e tij në Itali në vitin 2018, por në qershor 2019 u arratis nga burgu qendror i Montevideo dhe që prej asaj kohe ishte në arrati.

Morabito u quajt “mbreti i kokainës” gjatë kohës së tij në Milano në vitet 1990. Ai është me origjinë nga fshati kalabrian i Afrikos dhe ishte një udhëheqës i klanit mafioz Afriko Nuovo. /Telegrafi/

Exit mobile version