Telegrafi

Borrell thotë se për të nuk paraqet problem fakti që Spanja s’e njeh Kosovën

Shefit i ri i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, i cili ka qenë ministër i Punëve të Jashtme të Spanjës, ka thënë se fakti që vendi i tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës nuk do të jetë problem që ai të jetë ndërmjetësues i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell ka thënë se tani ai nuk vepron si një ministër i Jashtëm i Spanjës, pasi që i është caktuar detyrë e re.

“Jo, përse do të ishte problem?. Unë nuk veproj tani si ministër i Jashtëm i Spanjës, sepse kam detyra të reja. E kuptoj që njerëzit mund të vijnë në përfundimin se nëse vendi im nuk e njeh Kosovën, kosovarët nuk do të më duan”, ka thëksuar ai.

Borrell, më tej ka premtuar se posa të formohet Qeveria e re, ai do të vizitojë Kosovën, duke shtuar se do ta vizitojë edhe Serbinë, në mënyrë që të gjejë zgjidhje për problemet në Ballkan, njofton Telegrafi.